Kryetari i Bashkisë Kolonjë, z.Erion Isai ka vendosur që vlerësimin e tij ta fillojë nga artistët.
Ditën e trashëgimisë kulturore, në një ceremoni të veçantë Isai i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi i Kolonjës” klarinetistit të njohur, Aleks Xhelili dhe mbretëreshës së valles të kënduar, Bylyre Jashari.
Motivacioni i nderimit të tyre ka qenë dhënia e kontributit në veprimtarinë kulturore e artistike si dhe në promovimin e vlerave autentike të zonës.
Aleks Xhelili, përveç këtij titulli është fitues dhe i disa çmimeve të tjera si: “Ҫmimi i Karrierës”, “Interpretuesi më i mirë i klarinetës”, “Remzi Lela”, ndërsa Bylyre Jashari është fituese e urdhrit “Naim Frashëri”, çmimit “Interpretuesja më e mirë e valles popullore” dhe titullit “Personalitet i shquar i Qarkut Korçë”.





















